SH.M.B Nikolle Zogorjani

Përbërja e shkollës

vit shkollor (2022 – 2023) në total janë 305 nxënës ndër të cilët 154 (50.5%) janë femra, ndërsa pjesa tjetër, 151(49.5%) nxënës, janë meshkuj. Krahasuar me vitin e shkuar kemi 5 nxënës më shumë.

Pra, shkolla ka ruajtur një konstante të qëndrueshme përsa i përket numrit të përgjithshëm të nxënësve në vitet e fundit. Numri i nxënësve femra dhe meshkuj dëshmon se edhe barazpesha gjinore është më e kënaqshme se asnjëherë. Sidoqoftë shtojmë se kjo nuk është risi dhe se së paku në vitet e fundit numri i nxënësve meshkuj dhe atyre femra ka qenë i përafërt. Siç është e pritshme, nuk vërehen ndryshime të mëdha në arsimin e prindërve. Shumica e nxënësve janë po ata që e kanë frekuentuar shkollën edhe në vitet e kaluara. Saktësojmë këtu se arsimi i prinërve llogaritur duke deklaruar vetëm arsimin e njërit prej prindërve, atij që ka nivel më të lartë arsimor.

Më saktësisht: 9 prindër, ose afërsisht 3% e numrit të përgjithshëm kanë arsim të lartë; 136 prindër, ose 45% kanë arsim të mesëm të lartë; 151 prej tyre, ose afërsisht 50% kanë arsim të mesëm të ulët dhe 9 prindërit e mbetur, apo 3% e numrit të përgjithshëm kanë më pak se 8 / 9 vjet arsim.

Natyrisht duke patur pak më shumë se gjysmën e prindërve me jo më shumë se 8 / 9 vjet arsim nuk është e vështirë të vihet në diskutim vlera me të cilën këto prindër e çmojnë arsimin dhe përkushtimi i vazhdueshëm që fëmijët e tyre të arsimohen më shumë e në mënyrë më cilësore se ata vetë. Megjithatë këtu shtojmë se vlera që prindërit i njohin arsimit kushtëzohet edhe nga faktorë të tjerë.


Shkolla ka një numër për t’u marrë në konsideratë me nxënës që vijnë nga familje që përfitojnë ndihmë ekonomike. Bëhet fjalë për 52 (17%) të tillë. Edhe ndikimi i këtij faktori në mirëqenien e nxënësve dhe veçanërisht në arritjet e tyre shkollore, megjithë rëndësinë e vet, nuk mund të vlerësohet ndryshe përveçse në kontekst.

Pothuajse 5% e nxënësve, 15 të tillë, kanë fatin e keq të humbjes së njërit prej prindërve në moshë të hershme. Kjo shifër paraqitet e krahasueshme me atë të shkollave në përgjithësi. Vetëm pesë nxënës (1.6%) kanë prindër të divorcuar, ndërsa asnjë prej tyre nuk ndodhet në përkujdesje institucionale, ose të ndonjë personi të tretë. Pra, mund të pohojmë se familjet të cilave u përkasin nxënësit nuk janë të rikompozuara, janë familjet e krijuara rishtazi nga prindërit e tyre.

Po ashtu shkolla nuk ka asnjë nxënës që t’i përkasë komuniteteve minoritare, posaçërisht atyre rome dhe egjiptiane, por as ndonjë komuniteti tjetër. Nxënësit janë të gjithë pjesë e komunitetit tradicional të zonës së Velipojës që më së shumti përbëhet nga banorë të kahershëm të kësaj zone, por edhe shumë të tjerë që prej kohësh kanë ardhur nga Mirdita dhe Dukagjini. Mësuesit nuk kanë raportuar asnjë nxënës që të ketë sjellje veçanërisht problematike. Këtu përfshihet edhe përdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogave. Diçka e tillë konfirmohet edhe nga raportet e vitit të kaluar të shërbimit psikosocial të shkollës, mbledhjet e këshillit të mësuesve dhe në përgjithësi lloji I problematikave që kanë lindur vitin e kaluar. Mësuesit kanë raportuar një numër të ndjeshëm nxënësish të talentuar:51 (16.7%). Edhe ky numër është i krahasueshëm me atë të raportuar në hartat sociale të viteve të fundit. Këtë vit shërbimi psikosocial i shkollës në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës dhe mësuesit kujdestarë do të ndërmarrin një hap më të avancuar: përshkrimin e talentit të secilit prej këtyre nxënësve. Ky hap ndërmerret me qëllim kthimin e talentit të secilit në një pikë të fortë të shkollës, meqenëse mosnjohja dhe moszhvillimi i këtyre talenteve nuk përbën asnjë përparësi.

Nga ana tjetër, janë raportuar 9 nxënës (3%) me rezultate shumë të dobëta. Mësuesve të tyre kujdestarë do t’u kërkohet të raportojnë mbi arsyet e rezultateve të tyre kaq të dobëta dhe varësisht nga raportimi do të punohet me prindërit, vetë fëmijët dhe aktorët brenda shkollës (pikësëpari mësuesit) për të përmirësuar aq sa mund të përmirësohet në lidhje me të nxënit e tyre. Mësuesit kanë raportuar 11 nxënës (3.6%) me vështirësi në të nxënë. Kjo është për t’u dalluar nga çrregullimet e të nxënit. Për t’iu përgjigjur kësaj situate shërbimi psikologjik i shkollës gjatë tremujorit të parë do të kërkojë informacion në lidhje me llojin/et e vështirësisë së të nxënit që përjeton çdo nxënës. Varësisht nga rezultatet do të ndërtohen edhe ndërhyrjet përkatëse. Ndërkaq, nuk ka asnjë nxënës me ndonjë lloj aftësie të kufizuar që të jetë raportuar nga mësuesit. Në klasën 10-të është raportuar vetëm një nxënës me probleme kronike shëndetsore, epilepsi.

Shkollës i janë bashkuar këtë vit 15 (4.9%) nxënës të rinj, por ndër kta asnjëri nuk është fëmijë, apo i ri i kthyer nga emigracioni. Bëhet fjalë për prurje të reja nga shkollat e tjera. Për fatin e mirë të shkollës, numri i nxënësve me tendencë braktisjeje është mjaft i vogël, veçse 2 nxënës (0.7%). Edhe në këtë rast detyra e drejtorisë së shkollës, mësuesve kujdestarë dhe shërbimit psikosocial është e njëjta si në rastin e problematikave të tjera të vërejtura: identifikimi i shkaqeve dhe ndërmarrja e hapave konkrete për parandalimin e rasteve në fjalë.

sqAlbanian