SH.M.B Nikolle Zogorjani

Pak histori lidhur me shkollën


Shkolla e Mesme e Bashkuar “Nikolle Zogorjani” është themeluar më 1972 si shkollë e mesme bujqësore. Drejtimi i saj fillimisht i është besuar Pjetër Gjokës i cili është asistuar nga Kolë Vasili në rolin e nëndrejtorit. Emri i shkollës është tribut ndaj Nikolle Zogorjanit, një figure që më 1958 në mënyrë aktive ka krijuar rezistencë të organizuar ndaj regjimit komunist që pak kohë më vonë, më 1959, pasi e zbuloi veprimtarinë e tij e dënoi me njëzet e pesë vjet heqje lirie, pesë vjet humbje të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur dhe me konfiskim të pasurisë. Ai është një personazh tragjik që ndonëse pas fillimit të proceseve demokratizuese të vendit në vitet ’90 rifitoi lirinë dhe u angazhua në struktura pro së djathtës, nuk arriti t’i shohë frytet e bindjeve dhe veprimtarisë së vet. Më 15 dhjetor 1993 një aksident I mori jetën. Pas kohë më vonë, më 1996, komuna e Velipojës dhe Këshilli i Qarkut të Shkodërs e përjetësuan emrin e tij të shkolla e mesme e Velipojës që ndërkohë nga shkollë e mesme bujqësore më 1992 ishte kthyer në shkollë të mesme të përgjithshme. Emërtimi i një shkolle sipas një aktivisti politik është shpjeguar me vlerat që veprimtaria e tij ka promovuar, pikësëpari lirinë dhe demokracinë që promovohen gjerësisht edhe në mjedise edukuese si shkollat. Nga themelimi i saj më 1972 deri më sot shkollën e kanë drejtuar 13 drejtorë duke përfshirë edhe drejtorin aktual. Aktualisht, shkolla mbulon të tre ciklet parauniversitare, AF, AMU dhe AML dhe në varësinë e saj janë edhe dy anekse: Luarzë dhe Mali Kolaj. Godina e shkollës e cila kishte degraduar së tepërmi është rikonstruktuar më 2018 nën kujdesin e ministrit të atëherhëm për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z.Ditmir Bushati. Falë lobimit të tij u sigurua mbështetja financiare e Gulf Mining Group nga Omani. Shkolla ruan me kujdes marrëdhëniet bashkëpunuese me komunitetin, veçanërisht me prindërit, strukturat qeverisëse dhe organizatat jofitimprurëse. Vitet e fundit një sërë organizatash kanë ofruar bashkëpunimin e tyre i cili është mirëpritur nga drejtuesit, mësuesit dhe nxënësit e shkollës. Prej vitit të shkuar shkolla është pjesë e programit të shkollave si qendër komunitare.

sqAlbanian